e mërkurë, 19 maj 2010

Te dashuruarve u fal

Të dashuruarve u fal

Hafiz SHIRAZI

Të dashuruarve u fal, nga zemra flakë si qiri,
Të krisurve u ndriçoj mentë mes errësirës si qiri.

Nuk dinë gjumë as ditë, as natë, të pikëlluar syt`e mi,
Nga dert`i ndarjes lot lëshoj, në lot po shkrihem si qiri.

Siç presin perin me gërshërë, këputet dhe durimi im,
E, ndofta, mu në zjarr do digjem më kot siç digjet një qiri

S`e dija se do derdh kaq lot, si lumë rrjedhin dhe si gjak
Se do zbuloja një të fshehtë, dhimbj`e pashuar, si qiri.

Kjo zemra ime e plagosur, si midis ujit dhe zjarrit,
Ësht`e pushtuar krejt prej teje, më treti malli si qiri.

Le të më vijë shoqja ime, siç të avitet ty një fluturzë
Po në mos ardhtë, flakë i ve, e djeg gjithë tokën si qiri.

M`e errët dita sesa nata, kur nuk shikohemi në sy,
Po shkrihem, mpakem nga meraku e përvëlohem si qiri.

Prej mallit ti u bëre dyllë, përpara meje- si një mal,
Po qaj e shkrihem, dëshpërohem dhe tretem, tretem si qiri.

Ti më dhuro, moj bukuroshe, një çast takimi këtë natë,
Shtëpinë e shpirtin që lëngon të ma ndriçosh posi qiri.

Duke çuditurë dynjanë, ra keq Hafizi në dashuri,
Më hyri thellë mu në zemër, prandaj po tretem si qiri.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.