e premte, 21 maj 2010

"Të mjerët" (Fragment) Viktor Hygo

"Të mjerët" (Fragment) Viktor Hygo

Krah për krah nëpër terr me të panjohurin

Kozeta nuk ishte trembur fare.
Njeriu i foli. Ai fliste me zë të rëndë dhe pothuajse të ulët.
-Bija ime, kjo që po mbani ju, është shumë e rëndë.

Kozeta ngriti kokën dhe u përgjigj:
-Po, zotëri.
-Ma jepni mua, - vazhdoi njeriu. – Do t’jua mbaj unë.
Kozeta e lëshoi kovën. Njeriu filloi të ecte pranë saj.
-Me të vërtetë qenka shuë e rëndë, - tha ai nëpër dhëmbë. Pastaj shtoi:
-Vogëlushe, sa vjeç je?
-Jam tetë vjeç, zotëri.
-Dhe po vjen që larg kështu?
-Po vija nga burimi në pyll.
-Po a është larg vendi ku po vete?
-Do një çerek ore të mirë prej këtu.
Njeriu ndenji një hop pa folur, pastaj tha befas.
-S’paske nënë?
-Nuk e di, - u përgjigj fëmija.
Para se njeriu të kishte kohë të merrte përsëri fjalën, ajo shtoi:
-Nuk besoj. Të tjerët kanë nënë. Unë nuk kam.
Dhe pas një heshtjeje, ajo filloi përsëri:
-Më thotë mendja se s’kam pasur kurrë nënë.
Njeriu qëndroi në vend, lëshoi kovën përtokë, u përkul dhe vuri duart mbi të dyja supet e fëmijës, duke u përpjekur ta vështronte dhe të shihte fytyrën e saj në terr. Fytyra e thatë dhe eimët e Kozetës vizatohej vagët në dritën e zbehtë të qiellit.
-Si ta thonë emrin? – tha njeriu.
-Kozetë.
Njeriu u hodh përpjetë, sikur ta kishte dredur korenti elektrik. Vështroi akoma; pastaj i hoqi duart nga supet e Kozetës, rrëmbeu kovën dhe filloi përsëri të ecte.
Pas një hopi ai e pyeti:
-Ku banon ti, vogëlushe?
-Në Monfermej, në qoftë se e dini.
-Atje po vemë tani?
-Po, zotëri.
Heshti dhe një hop, pastaj filloi përsëri:
-Kush të paska dërguar kështu, në këtë orë, të marrësh ujë në pyll?
-Zonja Tenardie.
Njeriu ia ktheu me në zë që, megjithëse ai përpiqej ta bënte të dukej moskokëçarës, kishte një të dridhur të pazakontë.
-E çfarë bën kjo zonja Tenardie?
-Është zonja ime, - tha fëmija. – Ka një han.
-Paska han? – tha njeriu. – Eh, pra, unë do të vete të fle sonte atje. Shpjermë.
-Atje po shkojmë, - tha fëmija.
Njeriu ecte mjaft shpejt. Kozeta i vinte pas, pa ndonjë vështirësi. Tani ajo nuk e ndiente më lodhjen. Kohë më kohë ajo ngrinte sytë drejt këtij njeriu me njëfarë qetësie dhe lehtësimi që nuk mund të shprehen... Ajo ndiente në veten e saj diçka që përngjiste me shpresën dhe gëzimin.
Kaluan kështu disa minuta. Njeriu filloi përsëri:
-Nuk ka ndonjë shërbëtore te zonja Tenardie?
-Jo, zotëri.
-Po ti, vetëm je?
-Po, zotëri.
Pati përsëri edhe një ndërprerje. Kozeta ngriti zërin:
_Desha të them që ka dy vajza të vogla.
-Ç’vajza të vogla?
-Ponina dhe Zelma.
Kështu i thjeshtësonte fëmija emrat romaneskë,q ë i kishte aq për zemër Tenerdieja.
-Ç’janë këto Ponina dhe Zelma?
-Janë zonjoshat e zonjës Tenardie, si të thuash bijat esaj.
-Dhe ç’bëjnë ato?
-Oh! – tha fëmija, - ato kanë kukulla të bukura, gjëra të veshura me ar, plot gjëra të bukura. Ato luajnë dhe kënaqen.
-Gjithë ditën?
-Po, zotëri.
-Po ti?
-Unë? Unë punoj.
-Gjithë ditën?
Fëmija ngriti sytë e saj të mëdhenj, ku bulonte një lot, që nuk shihej, se qe natë, dhe u përgjigj ngadalë:
-Po, zotëri.
Ajo vazhdoi pasi heshti një hop:
-Herë-herë, kur kam mbaruar punët dhe kur më lejojnë, edhe unë argëtohem.
-Si argëtohesh?
-Ashtu, si mundem. Mëlënë e s’më thonë gjë. Por unë nuk kam shumë lodra. Ponina dhe Zelma nuk duan që unë të luaj me kukullate tyre. Kam vetëm një shpatë prej plumbi, jo të gjatë se kaq.
Fëmija tregoi gishtin e saj tëvogël.
-Dhe që nuk pret?
-Posi, zotëri, - tha fëmija, ajo pret sallatën dhe kokate mizave.
Arritën në fshat. Kozeta e udhëhoqi të huajin nëpër rrugë. Ata kaluan përpara furrës, por Kozetës as që i shkoi ndër mend për bukën që duhej të merrte. Njeriu nuk po i bënte më pyetje dhe ruante tani një heshtje të zymtë. Kur lanëprapa kishën, njeriu, duke parë të gjitha ato dyqanka të ngritura në shesh,e pyeti Kozetën:
-Panair u bëka këtu?
-Po, zotëri, janë Krishtlindjet.
Tek po arrinin te hani, Kozeta i preku krahun, ashtu si me druajtje.
-Zotëri?
-Ç’është, bija ime?
-Erdhëm afër shtëpisë.
-E pastaj?
-Tani, ju lutem, do të ma lini mua ta marr kovën.
-Pse?
-Spse, po e pa zonja se ma ka mbajtur dikush tjetër, do të më rrahë.
Njeriu ia dorëzoi kovën. Pas një hopi ata u ndodhën te porta e hanit.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Shënim. Vetëm anëtari i blogut mund të postojë komente.